Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosveprim ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Mustafa bëri të ditur se për çdo litër naftë qytetarët paguajnë rreth 60 centë taksa (36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH), duke e cilësuar këtë si një barrë të rëndë në kohë krize. Ai propozon heqje të përkohshme të këtyre taksave për të ulur çmimin e naftës dhe për të frenuar rritjen zinxhirore të çmimeve.
Deputeti gjithashtu kërkoi mbështetje shtesë për bujqit dhe prodhuesit vendorë, si dhe një plan emergjent anti-inflacion me masa konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe kontroll më të rreptë të tregut.
“Nevojiten masa konkrete dhe të drejtpërdrejta për mbrojtjen e familjeve, bujqve dhe biznesit vendor, përfshirë subvencione dhe mbështetje për inputet bazë. Një plan emergjent anti-inflacion me objektiva të qarta është i domosdoshëm,” tha Mustafa.
Ai i bëri thirrje Qeverisë të fokusojë energjitë tek mbështetja e qytetarëve dhe ekonomisë, dhe jo në thellimin e krizave politike.




