Sot përkujtohet 27-vjetori i masakrës së Krushës së Madhe, ku gjatë datave 25-27 mars 1999, forcat serbe vranë 243 shqiptarë dhe dogjën 893 shtëpi private dhe shoqërore. Mes viktimave ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, ndërsa ngjarja konsiderohet një nga masakrat më të tmerrshme mbi popullsinë civile në Kosovë.
Masakra u krye nga paramilitarë, policia dhe ushtria serbe si pjesë e përpjekjeve për eliminimin e popullsisë shqiptare. Në përkujtim të kësaj date të dhimbshme, qytetarë dhe liderë politikë do të marrin pjesë në homazhe dhe akademi përkujtimore.
Komuna e Rahovecit ka publikuar programin përkujtimor për 27-vjetorin e masakrave të vitit 1999, të kryera në Krushë të Madhe dhe fshatrat përreth, përfshirë Brestoc, Fortesë, Celinë, Retijë, Opterushë, Pastasel, Nagac dhe Hoçë e Vogël.




