Kosova është vendosur në një grup të vështirë kualifikues për Euro 2028 në hendboll, ku do të përballet me Hungarinë, Ishujt Faroe dhe Malin e Zi, sipas shortit të tërhequr të enjten në Lisbonë, Portugali.
Përzgjedhësi i Kosovës, Jesper Ostlund, e ka vlerësuar grupin si sfidues, por ka premtuar se skuadra do të luftojë deri në fund me synim kualifikimin.
“Short i vështirë për ne. Hungaria është një top-Kombëtare. Mali i Zi ka traditë në hendboll, ndërsa Ishujt Faroe kanë lojtarë cilësorë si Oli Mittun dhe Elias Skipagotu. Do të jemi autsajderë, por do të shfrytëzojmë çdo mundësi”, tha Ostlund.
Ai theksoi se fitorja në Prishtinë ndaj Bosnjë-Hercegovinës ka dhënë sinjale pozitive për ekipin: “Kur luajmë mirë, mund të mposhtim Kombëtare cilësore”.
Ndeshja e parë e Kosovës është planifikuar më 4 ose 5 nëntor ndaj Ishujve Faroe, ndërsa më 7 ose 8 nëntor do të presim Hungarinë në Prishtinë.




