Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit njofton se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026, deri në mesditë, 7,482 zyrtarë (72.32%) e kanë përfunduar deklarimin, 1,394 (13.48%) janë në proces, ndërsa 1,469 (14.20%) nuk e kanë filluar fare. Nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar, mbi 1,400 mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar shkeljen e afatit ligjor.
Drejtori i agjencisë, Yll Buleshkaj, theksoi se ditët në vijim janë vendimtare dhe çdo mosveprim aktivizon mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj. Sipas tij, mosdeklarimi sjell gjobë prej 30% të pagës, ndërsa vonesat mbi 15 ditë mund të çojnë në hetime penale.
Agjencia rikujton se deklarimi i pasurisë është obligim ligjor dhe çdo mosrespektim, përfshirë deklarimin e pasaktë apo vonesat, trajtohet me masa administrative dhe procedura penale, duke theksuar se përgjegjësia për përmbushjen e këtij detyrimi është individuale.




