Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se subjekti i tij nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur i vetëm presidentin e vendit, duke theksuar se zgjidhja kërkon domosdoshmërisht marrëveshje me opozitën.
Sipas tij, çështja e presidentit mbetet ende e hapur dhe përparimi varet nga gatishmëria e partive politike për kompromis. Ai shtoi se, megjithëse ekziston vullnet nga ana e LVV-së për dialog, deri më tani nuk ka pasur reflektim konstruktiv nga opozita./EO/
Abrashi theksoi se situata aktuale mund të çojë në zgjedhje të reja nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ai bëri të ditur se LVV tashmë ka propozuar kandidatë për president, përfshirë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha, por mungon përkrahja nga partitë e tjera.
Ndërkohë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës parasheh që nëse brenda afatit ligjor nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.




