Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka publikuar listën e lojtareve për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2026.
Kombëtarja e Kosovës në hendboll do të grumbullohet të dielën në Prishtinë, ndërsa më 9 prill do të përballet me Francën në Pallatin e Rinisë nga ora 20:15. Ndeshjen e fundit e zhvillon më 12 prill në Zagreb ndaj Kroacisë nga ora 18:00.
Të dy kundërshtarët konsiderohen ndër ekipet më të forta në Evropë dhe botë, me Francën që renditet në mesin e kombëtareve elitare në hendboll.
Për shkak të lëndimeve dhe mungesave të tjera, në këto dy ndeshje nuk do të paraqiten kapitenia Mirjeta Bytyqi dhe disa lojtare të tjera si Mirela Gjikokaj, Merlinda dhe Elvina Qorraj, Dafina Mustafa, Elisa dhe Melisa Mulaj, Diona Dresh, Venera Kafexholli dhe Elisa Mirdita.




