Pas përditësimit të listës së barnave në Kosovë, disa ilaçe për hipertension u shtrenjtuan deri në 13 euro, ndërsa të tjerat u liruan. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka sqaruar se komisioni ka bërë disa gabime teknike gjatë përcaktimit të çmimeve.
Për shembull, ilaçi “Sevikare” u rrit nga 21,72 euro në 34,73 euro, ndërsa “Lopril” u ul nga 3,50 euro në 1,44 euro. Vitia kërkoi ndjesë nga qytetarët dhe theksoi se këto gabime do të rregullohen në përditësimin e ardhshëm.
Ai shtoi se ligji për nivelizimin e barnave, i miratuar në 2023, do të stabilizojë tregun dhe do të sigurojë çmime të njëjta në të gjitha barnatoret. Nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha, tha se ndryshimet e çmimeve janë normale dhe varen nga marzha dhe tregu rajonal.




