Me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka zhvilluar homazhe dhe ka vendosur kurora me lule në disa lokacione përkujtimore në komunë.
Ai ka bërë nderime në Marinë te “Memoriali i Dëshmorëve”, në Tërstenik te “Lisat binak” dhe në Kompleksin memorial “Pëllumbat e lirisë” në Negroc, duke përkujtuar dëshmorët dhe martirët e Arllatit, Gjergjajt, Llapushnikut, Negrocit dhe Vuçakut.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka theksuar se kjo ditë është e mbushur me emocione, dhimbje dhe krenari, duke vlerësuar sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit gjatë luftës për liri.
Ai shtoi se nderimi më i madh për ta është fuqizimi i shtetit, puna për mirëqenie dhe zbatimi i barazisë para ligjit.
Në fund, Lladrovci ka përfunduar mesazhin me “Lavdi të përjetshme për dëshmorët dhe martirët e kombit” dhe “Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.




