Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar pas takimit me homologun e tij nga Belgjika, Maxime Prévot, se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se bashkëpunimi pritet të thellohet edhe më tej.
Në konferencën për media, Konjufca vlerësoi mbështetjen e Belgjikës ndaj Kosovës ndër vite, duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahjen në proceset e integrimit evropian.
Ai theksoi se Belgjika ka dhënë kontribut edhe në forcimin e institucioneve të Kosovës, përfshirë trajnimin dhe përgatitjen e stafit diplomatik.
Konjufca bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në politikën e jashtme, siguri dhe mbrojtje, si dhe për proceset integruese evropiane të Kosovës.
Ai shtoi se Kosova pret vazhdimin e mbështetjes belge në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke theksuar pritjen që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të ndodhë sa më shpejt.




