Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar procesin për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar si një “spektakël politik” pa konsultim real.
Ai tha se nuk ka pasur përpjekje serioze për arritjen e një konsensusi mes partive politike dhe se procesi, sipas tij, ka qenë vetëm formal.
Tahiri theksoi se takimet dhe diskutimet e zhvilluara nuk kanë sjellë rezultat konkret për një president unifikues, ndërsa shtoi se temë reale e bisedimeve ka qenë bashkëqeverisja dhe jo posti i presidentit.
Ai kritikoi edhe qeverinë aktuale dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se mungon një proces i mirëfilltë politik për arritjen e marrëveshjeve dhe konsensusit institucional.




