Në kuadër të konferencës për 10-vjetorin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) është mbajtur një panel diskutimi mbi sfidat e sistemit financiar dhe rolin e financimit zhvillimor në rritjen ekonomike.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se FKGK ka ndihmuar në përmirësimin e qasjes në financa, duke adresuar mungesën e kolateralit dhe duke rritur mundësitë për kredi, por theksoi se shpesh bizneset përballen me financim të pamjaftueshëm.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Martha Martinez Licetti, theksoi nevojën për një sistem më të integruar financiar që përfshin instrumente të ndryshme si garancitë, kreditë dhe zgjidhjet digjitale, duke synuar mbështetje më të mirë për bizneset me potencial zhvillimor.
Ndërsa përfaqësuesja e KfW-së, Hilli Henebry, tha se institucionet ekzistuese financiare duhet të përdoren për krijimin e mekanizmave më të synuar për grupe si gratë sipërmarrëse dhe startup-et, duke theksuar rëndësinë e fondeve të garancisë dhe instrumenteve shtesë për adresimin e boshllëqeve të tregut.




