Screenshot
Profesori Mustaf Kadriaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për gjuhë cinike dhe ofenduese ndaj opozitës, pavarësisht pretendimeve për qasje më të butë.
Ai rikujton se Kurti, sa ishte në opozitë, ka kontestuar shtetin dhe rendin kushtetues, ndërsa sot, sipas tij, e paraqet veten si standard moral.
Postimi I plotë:
Cinizmi si standard i qeverisjes – kujtesë për Kryeministrin Albin Kurti
I nderuar Kryeministër
Në komunikimin tuaj me media, ju krahasoni qasjen tuaj ndaj opozitës me sjelljen e ish-qeverive ndaj jush kur ishit në opozitë. Sipas jush, ju po silleni mirë, pasi ata janë sjellë më vrazhdë ndaj jush, madje edhe me polici.
Po, është e vërtetë që mund të silleni më butë në formë, por në pothuajse çdo fjali keni cinizëm dhe ofendim ndaj opozitës dhe ndaj kujtdo që ka qëndrim kritik ndaj mënyrës suaj të qeverisjes.
Ndërsa ju, kur keni qenë në opozitë, keni kontestuar pothuajse çdo gjë të shtetit të Kosovës. Nuk keni besuar dhe nuk e keni pranuar realitetin e pavarësisë së Kosovës, madje nuk e keni festuar atë as ju dhe as partia juaj. Keni sfiduar rendin kushtetues, keni shkelur ligjet dhe nuk keni lënë figurë publike pa e ofenduar dhe kontestuar, si në aspektin moral ashtu edhe në atë kombëtar.
Sipas kësaj logjike, ju e vendosni veten si matës të moralit dhe të kombëtares, ndërkohë që vetë keni përdorur dhe shfrytëzuar figurat publike, për t’i ofenduar sot.
Këtu pajtohem me ju qeveritë e kaluar kanë mëkat që janë sjellë tepër butë ndaj jush. Sepse çdo qytetar që konteston Kushtetutën dhe shtetin e Kosovës nuk duhet të gëzojë të mirat e atij shteti.
Sa për kujtesë secili qytetar i këtij vendi ka dhënë më shumë kontribut dhe ka pasur një të kaluar më të pastër se sa ju, si në aspektin moral ashtu edhe në atë kombëtar.




