Më 17 prill 2026, rreth orës 21:00, në stacionin policor në Ferizaj është raportuar një rast i veprës penale “mashtrimi”, i ndodhur në rrugën “Cen Dugolli”.
Sipas raportit, të dyshuarit kishin organizuar një takim me tre persona, duke u paraqitur rrejshëm se posedonin kriptovaluta për shitje. Përmes kësaj skeme mashtruese, ata kanë arritur të përvetësojnë shumën prej 12,000 eurosh, nga 4,000 euro secili viktimë.
Pas marrjes së parave, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes duke ikur përmes dritares së një lokali.
Gjatë hetimeve, më 29 prill 2026, është zbuluar se të njëjtit persona po përgatisnin një rast të ngjashëm në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik. Policia ka ndërhyrë me kohë, duke arrestuar dy të dyshuarit, A.L. (25 vjeç) dhe R.J. (23 vjeç), ndërsa një i dyshuar i tretë, i identifikuar tashmë, ka arritur të arratiset.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një makinë për numërimin e parave, një çantë dhe një veturë e tipit Golf 7.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “mashtrimi”, ndërsa rasti po vazhdon me procedura të mëtejshme hetimore.




