Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për restaurimin e ndërtesës së Institutit Albanologjik të Prishtinës Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se ndërhyrjet në këtë institut janë të domosdoshme dhe se po krijohet baza për restaurimin e plotë të objektit si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Sipas tij, aktualisht po zhvillohen punime emergjente në kulm dhe ulluqe për të ndalur degradimin e ndërtesës, ndërsa me memorandumin parashihet kalimi në fazën e restaurimit të plotë.
Kurti theksoi se projekti përfshin edhe funksionalizimin e qëndrueshëm të institucionit, krijimin e një ekspozite të përhershme etnografike si dhe muzealizimin e zyrës së akademikut Rexhep Qosja.




