Ish-deputeti Haki Abazi ka deklaruar në emisionin “DPT te Fidani” se mosmarrëveshjet politike po e mbajnë Kuvendin e Kosovës në një gjendje të bllokuar institucionale.
Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për presidentin, qeverinë dhe kryeparlamentarin po e bën procesin e konstituimit të institucioneve të pjesshëm dhe jo funksional.
Abazi tha se qeverisja aktuale po zhvillohet pa një parlament funksional, të cilin ai e cilësoi si “vdekje klinike” të institucionit ligjvënës.
Ai kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se po qeveris pa mekanizma të plotë të kontrollit dhe llogaridhënies parlamentare.
Abazi shtoi se situata aktuale politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke theksuar se mungon reflektimi nga aktorët politikë.




