Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se vendimi për projektin e gazit amerikan i takon Qeverisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe ekonominë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Westerlund tha se nuk dëshiron të japë vlerësime se cila zgjidhje është më e mirë, por se përgjegjësia për vendimmarrje i takon institucioneve të Kosovës dhe negociatave me partnerët ndërkombëtarë.
“Është e rëndësishme që çdo qeveri të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji. Ka mënyra të ndryshme për ta arritur këtë dhe nuk do të komentoj se cila është më e mira. Këtë ia lë qeverisë dhe negociatave me partnerët ndërkombëtarë,” tha ai.
Ai shtoi se situata aktuale energjetike është sfiduese dhe se ajo ndikon në zhvillimin ekonomik dhe tregtinë, duke theksuar nevojën për stabilitet në këtë sektor./EO/




