Anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor të Kosovës dhe Austrisë do të kenë të drejtë të punojnë në shtetin pritës gjatë kohës së shërbimit.
Dy shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe që u mundëson familjarëve të diplomatëve dhe stafit konsullor të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse gjatë qëndrimit në misionet diplomatike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se kjo marrëveshje synon të krijojë kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve, duke lehtësuar integrimin dhe angazhimin e tyre profesional gjatë shërbimit jashtë vendit.
“Marrëveshja rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës”, thuhet në njoftim.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Nikolaus Marschik, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet politike e të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Sipas MPJD-së, marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë./EO/




