Analisti politik Basri Muja ka vlerësuar se përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës i jep Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me deputetët e komuniteteve joserbe, mundësinë për të formuar një qeveri të ngushtë, e cila mund të jetë fragjile, por që sipas tij do t’i ketë votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Në emisionin “FIVE”, Muja tha se pret që ky të jetë skenari i mundshëm i zhvillimeve politike, duke kujtuar se një opsion i tillë është paralajmëruar edhe nga përfaqësues të LVV-së.
Ai shtoi se në rrethanat aktuale asnjë bllok politik nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e vendit, duke theksuar se ky proces kërkon shumicë të cilësuar dhe konsensus më të gjerë politik.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit dhe formimi i qeverisë janë procese të ndara dhe nuk duhet të trajtohen si një tërësi, duke apeluar për dialog dhe dakordim mes partive politike.




