Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës Kufitare në Merdarë.
Automjeti ishte përzgjedhur për kontroll në bazë të analizës së riskut, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar u gjetën 23,500 euro në dy vende të ndryshme të automjetit dhe në çantën personale të udhëtarit.
Personi posedonte dokumente që tregonin burimin e mjeteve monetare, përfshirë një kontratë noteriale dhe dëshmi të tërheqjes bankare.
Sipas procedurave ligjore, ndaj tij është aplikuar ndalimi i 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër i është kthyer.
Dogana e Kosovës rikujton se çdo shumë prej 10,000 euro e më shumë duhet të deklarohet gjatë hyrjes ose daljes nga vendi, përndryshe përbën kundërvajtje dhe sjell masa ligjore.




