Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se vendi po përballet me pasoja të mëdha ekonomike si rezultat i krizës së zgjatur politike dhe bllokadës institucionale.
I ftuar në emisionin “FIVE” në Dukagjin, Rafuna tha se Kosova ka nevojë urgjente për reforma të thella në fusha kyçe si politikat fiskale, sundimi i ligjit, arsimi dhe shëndetësia, por sipas tij mungesa e stabilitetit po e pengon zhvillimin.
Ai theksoi se vendet e rajonit po ecin më shpejt dhe po tërheqin investitorë të huaj, ndërsa Kosova po mbetet prapa për shkak të bllokadës institucionale që, sipas tij, po zgjat prej rreth 18 muajsh.
Rafuna shtoi se vendi po humb fonde dhe mundësi zhvillimi, përfshirë edhe nga Plani i Rritjes së BE-së, duke paralajmëruar humbje me miliona euro dhe ngecje në procesin e integrimit europian.




