Avokati Arianit Koci ka bërë thirrje që çdo rast i ndalimit ose arrestimit të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe të raportohet menjëherë te institucionet përgjegjëse dhe të bëhet publik, duke theksuar se kontrollet ndaj kosovarëve janë shtuar dukshëm kohët e fundit.
Reagimi i tij vjen pas rastit të Avdi Memçajt, i cili po mbahet në Burgun Qendror në Beograd që nga 20 maji. Ai ishte ndaluar në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes një publikimi në rrjetet sociale.
Sipas Kocit, familja e Memçajt nuk e kishte bërë publik rastin për disa javë, nga frika se ekspozimi mediatik mund të ndikonte negativisht tek anëtarët e tjerë të familjes.
Koci ka bërë të ditur se tashmë ka marrë përsipër mbrojtjen juridike të Memçajt dhe vlerëson se transparenca është mënyra më e mirë për trajtimin e rasteve të tilla.
Ai gjithashtu paralajmëroi qytetarët që udhëtojnë nëpër Serbi të tregojnë kujdes, pasi sipas tij janë shtuar kontrollet, përfshirë edhe verifikimet e telefonave mobilë nga autoritetet serbe.




