Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e integrimit evropian.
Gjatë takimit, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit qytetar dhe standardeve demokratike, duke nënvizuar nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas përfundimit të procesit të certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Ai ka vlerësuar raportin e Terrasit për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke theksuar se ai evidenton nevojën për avancimin e reformave, forcimin e institucioneve demokratike dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore.
Abdixhiku shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet evropiane për avancimin e proceseve demokratike dhe rrugës së vendit drejt integrimit evropian.




