Mushkonjat janë një nga shqetësimet më të zakonshme gjatë ditëve të nxehta, por përveç bezdisjes, ato mund të jenë edhe bartëse të disa sëmundjeve.
Kur një mushkonjë pickon, vetëm femrat e kësaj specie ushqehen me gjak. Gjatë pickimit, ato lëshojnë një substancë që pengon mpiksjen e gjakut, ndërsa trupi ynë reagon duke prodhuar histaminë, e cila shkakton kruajtje, skuqje dhe ënjtje në zonën e prekur.
Për ta zvogëluar rrezikun e pickimeve, këshillohet përdorimi i kremrave kundër mushkonjave, mbajtja e higjienës personale, pasi djersa i tërheq ato, si dhe përdorimi i aromave natyrale si vaji i eukaliptit.
Nëse pickoheni, shmangni kruarjen e vendit të prekur, pasi kjo mund të irritojë më shumë lëkurën. Për lehtësim mund të përdorni akull ose aloe vera, sidomos në rast të ënjtjes apo irritimit më të madh.
Megjithëse shumica e pickimeve janë të padëmshme, në rast të reaksioneve të forta alergjike duhet kërkuar ndihmë mjekësore.




