Bashkimi Evropian ka miratuar 206.4 milionë euro mbështetje financiare për Kosovën në kuadër të programeve IPA 2026, IPA 2027 dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas Ministrisë së Industrisë, fondet do të investohen në infrastrukturë, energji, mjedis, arsim, punësim dhe sundim të ligjit. Grantet e WBIF do të financojnë projekte si Hidrosistemi Ibër-Lepenc, autostrada Qafë e Duhlës–Banullë dhe impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë.
Ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo mbështetje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e integrimit evropian të Kosovës.




