Nga 14 korriku hyn në fuqi Ligji i ri për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili për herë të parë rregullon organizimin e lojërave promovuese “Giveaway” në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Financave, organizatorët do të duhet të marrin leje paraprake, të paguajnë tatim prej 18 për qind të vlerës së fondit të çmimeve dhe të publikojnë rregullat e lojës, si dhe emrat e fituesve.
Ligji përcakton se kërkesa për leje duhet të dorëzohet të paktën 30 ditë para nisjes së lojës, ndërsa çmimet duhet t’u dorëzohen fituesve brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve. Gjithashtu, një “Giveaway” nuk mund të zgjasë më shumë se një vit.
Sipas Ministrisë së Financave, rregullat e reja synojnë të rrisin transparencën, sigurinë ligjore dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në këto lojëra promovuese.




