Gjykata Themelore në Ferizaj, përmes Departamentit për të Mitur, i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të miturit që dyshohet se sulmoi me thikë dy qytetarë dhe plagosi një zyrtar policor.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa gjykata vlerësoi se ekziston dyshim i bazuar se i mituri ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Sipas dosjes së rastit, më 10 korrik rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj, i mituri, i veshur me rroba ushtarake, me dorëza dhe i maskuar, dyshohet se sulmoi me thikë dy persona, duke u shkaktuar lëndime të rënda në pjesë vitale të trupit. Pas sulmit, ai u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit u dërguan për trajtim në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
Rreth 20 minuta më vonë, i dyshuari u lokalizua në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në një fshat të Ferizajt. Sipas autoriteteve, gjatë tentimit për arrestim ai refuzoi të dorëzohej dhe sulmoi me thikë zyrtarët policorë.
Gjatë ndërhyrjes, një polic u rrëzua pasi u tërhoq nga nëna e të miturit, ndërsa i dyshuari tentoi ta godiste me thikë. Një tjetër zyrtar policor, i cili ndërhyri për ta neutralizuar, pësoi lëndim në anën e majtë të qafës.
Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, e cila do të zgjasë 30 ditë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.




