Masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë kanë nisur të japin rezultate në sektorin e qumështit, pasi pjesa më e madhe e prodhimit nga fermerët tashmë po grumbullohet.
Megjithatë, Shoqata e Qumështit ka bërë të ditur se ende ka probleme në Podujevë dhe Vushtrri. Sipas saj, rreth 35 fermerë në Podujevë dhe 30 në Vushtrri vazhdojnë të mos kenë grumbullim të qumështit, me rreth 5 deri në 6 tonë që mbeten pa u marrë.
Shoqata u ka bërë thirrje përpunuesve të qumështit që operojnë në këto zona të ndërhyjnë, në mënyrë që i gjithë prodhimi vendor të gjejë treg.
Ajo ka paralajmëruar se kërkesa për qumësht pritet të rritet dhe ka kërkuar vazhdimin e masave mbështetëse nga Ministria e Bujqësisë.
Sipas Shoqatës, sfida kryesore mbeten çmimi i ulët i grumbullimit dhe vonesat në pagesa, të cilat në disa raste zgjasin deri në gjashtë muaj ose më shumë.
Gjithashtu, është përsëritur kërkesa për ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në përpunim, duke e cilësuar si masë të nevojshme për mbrojtjen e prodhimit vendor.




