Bashkimi Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schuebel si ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë. Ai do ta nisë zyrtarisht detyrën më 1 shtator.
Schuebel është diplomat me mbi 30 vjet përvojë në shërbimin evropian dhe gjerman. Aktualisht ai është Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
Gjatë karrierës së tij ka shërbyer si i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor, ambasador i BE-së në Bjellorusi dhe në Moldavi, si dhe ka drejtuar njësi të rëndësishme që lidhen me marrëdhëniet e BE-së me Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin.
Schuebel ka punuar edhe në institucione të tjera evropiane, përfshirë Komisionin Evropian, ndërsa në fillim të karrierës së tij diplomatike në Gjermani është fokusuar në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare dhe tregtinë e jashtme.
Emërimi i tij në Kosovë vjen pas një karriere të gjatë të lidhur me Evropën Lindore, sigurinë dhe proceset e integrimit evropian.




