Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kujtuar 16-vjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Çitaku ka thënë se ky vendim ishte një moment historik për Kosovën dhe aleatët e saj, duke e cilësuar si fitore të përbashkët të vendit, partnerëve ndërkombëtarë dhe së drejtës.
Ajo ka kujtuar se në ditën e shpalljes së opinionit ndodhej në Uashington, ku delegacioni kosovar zhvilloi takime me zyrtarë të lartë amerikanë.
Sipas Çitakut, vendimi i GJND-së konfirmoi atë që Kosova kishte argumentuar që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe dëshmoi rëndësinë e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.




