Dy persona janë arrestuar në fshatin Kosuriq të Pejës, nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, kanosje, armëmbajtje pa leje dhe sulm.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 21 korrik 2026, pas një përleshjeje fizike, ku më pas dyshohet se është përdorur arma e zjarrit. Nga të shtënat, një kalimtar rasti ka pësuar lëndime të lehta dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve, policia ka sekuestruar një armë, një gëzhojë dhe një karikator.
Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa tjetri është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.




