Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, viktimat e ish-gardianes Nadica Cepkenović kanë rrëfyer dhunën dhe torturat që kanë përjetuar gjatë kohës së burgosjes në paralelen për femra në Lipjan gjatë viteve të luftës.
Cepkenović është akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile dhe gjatë seancës fillestare u deklarua e pafajshme.
Dëshmitë e grave treguan presion fizik dhe psikik të vazhdueshëm, mungesë të ushqimit dhe mundësisë për të komunikuar, trajtim çnjerëzor dhe frikë për jetën. Jehona Krasniqi-Morina përshkroi gjendjen në burg si “shumë të dhunshme”, ndërsa Mevlyde Saraqi tha se ishin mbajtur nën presion për të mos folur në gjuhën amtare dhe se nuk u lejohej as dalja për nevoja fiziologjike.
Zahrije Podrimçaku Subashi përmendi tortura fizike dhe psikike, duke përfshirë kërcënime për jetë dhe detyrimin për të shkelur simbole kombëtare, gjë që ajo refuzoi. Viktimat thanë se përjetimi i ballafaqimit me të akuzuarën pas dy dekadash ka rikthyer kujtime të rënda, por shprehin shpresë se drejtësia do të vihet në vend.
Aktakuza thotë se Cepkenović, së bashku me të tjera ish-gardiane, ka maltretuar të burgosurat me mjete të ndryshme, duke shkaktuar lëndime trupore dhe dëme psikike të vazhdueshme, duke cënuar rëndë dinjitetin e viktimave. /EO/




