Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjithë personat fizikë, fizikë afaristë dhe personat juridikë se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet për të ardhurat e tyre, përfshirë edhe të ardhurat nga kriptovalutat.
ATK thekson se aktivitetet e saj do të fokusohen te personat që nuk i deklarojnë të ardhurat dhe nuk paguajnë tatimet, duke përfshirë veçanërisht ata që realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.
Detyrimet tatimore varen nga statusi i personit:
Person fizik jo afarist ose fizik afarist: duhet të zbatojë Ligjin Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Person juridik: duhet të zbatojë Ligjin Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
Deklarimi dhe pagesa e tatimit duhet të bëhet sipas normave dhe formularëve të përcaktuar, ndërsa personat që krijojnë humbje duhet të mbajnë evidenca të veçanta të disponueshme për ATK.
ATK paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj atyre që nuk deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve të përmbushin detyrimet e tyre tatimore sa më shpejt.




