Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot krimet e kryera nga forcat serbe më 25 mars 1999, duke veçuar vrasjen e Almës, një foshnje 18-muajshe, së bashku me 12 fëmijë të tjerë në Celinë të Rahovecit.
Ai theksoi se atë ditë rreth 500 ushtarë serbë hynë me dhunë në fshat, duke vrarë dhe masakruar 82 civilë shqiptarë, ndërsa dhuna u shtri edhe në Fortesë, Brestoc, Tërnje, Goden dhe Randobravë, duke shkaktuar dhjetëra viktima civile.
“Republika e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojë këto jetë të këputura e fëmijëri të mohuara. Kujtesa institucionale dhe shoqërore është themel i drejtësisë dhe garanci që krime të tilla të mos përsëriten më,” tha Kurti, duke nderuar Almën dhe të gjithë fëmijët që nuk u lejuan të rriteshin.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që gëzojmë sot. Lavdi!” përfundoi mesazhi i kryeministrit.




