Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në rajonin e Prishtinës, ka kryer operacionin anti-drogë të koduar “Delivery”, duke arrestuar katër persona për drogë dhe një person tjetër për krime kibernetike.
Operacioni u zhvillua pas një pune intensive operative dhe grumbullimi të informatave për aktivitetet kriminale në fushën e narkotikëve. Më 25 mars, rreth orës 14:00, të dyshuarit u lokalizuan në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë Golf 8. Ata tentuan të largoheshin me shpejtësi të madhe, por ndjekja përfundoi në hyrje të Vushtrrisë, ku policia i ndaloi dhe i arrestoi.
Gjatë kontrollit të veturës dhe bastisjeve në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë u sekuestruan: marihuanë (3,339.5 gram), kokainë (11.9 gram), dy peshore digjitale, para të gatshme, dy vetura, katër telefona celularë dhe pesë laptopë në një hapësirë të modifikuar si “Call Center”.
Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike po vazhdojnë hetimet ndaj personit të pestë të dyshuar për veprat penale të koduara në këtë fushë.
Të dyshuarit janë shoqëruar në Polici dhe me vendim të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.




