Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër pas miratimit të pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, duke theksuar se minatorët janë lënë jashtë çdo llogarie dhe përballen me padrejtësi sistematike.
Ndërkohë që punëtorët e sektorit publik morën pagën e 13-të një ditë pas vendimit të qeverisë, minatorët nuk kanë përfituar asnjë rritje page që nga viti 2016, nuk u është dhënë paga e 13-të dhe nuk trajtohen me dinjitet.
Sindikata thekson se minatorët punojnë në kushte të rrezikshme nëntokësore, përballen me shëndet të rrezikuar dhe nuk marrin mbështetje institucionale për trustin pensional. “Minatori sot nuk kërkon lëmoshë, kërkon atë që i takon – dinjitet dhe drejtësi”, thuhet në reagim.
Sindikata ka bërë thirrje që Ministria, Bordi Mbikëqyrës dhe menaxhmenti i Trepçës të shqyrtojnë mundësinë e stimulimit të minatorëve për sakrificën dhe punën e tyre dhe paralajmëroi veprime nëse nuk ndërmerren masa.
Ky reagim vjen si një apel i fortë për trajtim të barabartë dhe për respektimin e të drejtave të punonjësve që kontribuojnë në një sektor kyç të ekonomisë së vendit.




