Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar Naser Shalës, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Haradinaj e ka vlerësuar Shalën si një luftëtar të orëve të para, gjithmonë të gatshëm për sakrificë kur e kërkonte atdheu. Ai theksoi se Shala i përkiste një brezi luftëtarësh që e kuptuan herët se liria kërkon përkushtim dhe vendosmëri, duke dhënë kontribut të çmuar në organizimin e bashkëluftëtarëve në periudhat më të vështira të luftës.
Sipas Haradinajt, Shala e përjetoi luftën jo vetëm në vijat e frontit, por edhe përmes humbjes dhe masakrimit të familjes së tij, megjithatë nuk u thye, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe vendosmëri për vazhdimin e rezistencës deri në arritjen e lirisë.
Ai shtoi se edhe në periudhën e shtetndërtimit, Naser Shala mbeti i drejtë dhe i palëkundur në qëndrimet e tij.
Haradinaj e përshkroi atë si një burrë të rrallë që jetoi me nder dhe u largua me dinjitet, duke theksuar se emri i tij mbetet pjesë e historisë dhe kujtesës kolektive.
“Lavdi jetës dhe veprës së Naser Shalës”, u shpreh Haradinaj.




