Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se platforma Schwacke, e cila është përdorur deri tani për vlerësimin e automjeteve të përdorura, është jashtë funksioni.
Sipas njoftimit, ndërprerja e qasjes në këtë platformë ka ndodhur si pasojë e një sulmi kibernetik, i cili ka prekur sistemin në nivel evropian dhe më gjerë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar.
Për të siguruar vazhdimësinë e procedurave doganore dhe për të shmangur vonesat në zhdoganimin e automjeteve, Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka kaluar në përdorimin e platformës DAT.
Sipas Doganës, platforma e re funksionon me standarde profesionale të ngjashme dhe ofron të dhëna të besueshme për vlerësimin e automjeteve të përdorura.




