Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mohuar pretendimet se ka mbështetur ndonjë kandidaturë për president të vendit, përfshirë atë të përmendur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një deklaratë, ambasada ka
theksuar se nuk ka rol në propozimin apo përkrahjen e kandidatëve për poste politike në Kosovë dhe se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ambasada ka bërë të ditur se formimi i marrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit është çështje e partive politike dhe ka inkurajuar respektimin e Kushtetutës dhe zhvillimin e një procesi konstruktiv politik.
Reagimi vjen pas deklaratave të kandidaturës së VV-së për presidente, Feride Rushiti, e cila kishte përmendur mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë ambasadën britanike.
Sipas ambasadës, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj procesit demokratik në Kosovë, por nuk ndërhyn në përzgjedhjen e kandidatëve politikë.




