Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për tri pozita udhëheqëse në Ministrinë e Drejtësisë, duke e cilësuar këtë veprim si të kundërligjshëm dhe të papërshtatshëm në situatën aktuale politike.
Sipas Bajramit, shpallja e vendeve të reja të punës në institucione publike, përfshirë pozita të larta drejtuese, po ndodh në kohën kur Qeveria është në dorëheqje dhe nuk ka mandat të plotë. Ajo thekson se një qeveri në dorëheqje nuk duhet të ndërmarrë procedura të reja për emërime në pozita publike.
Në reagimin e saj, Bajrami përmend edhe Ligjin për Qeverinë, duke thënë se ai ndalon iniciimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike nga një qeveri në largim. Ajo shton se institucionet publike nuk duhet të shndërrohen në hapësira për emërime politike dhe kërkon që këto procese të rishikohen nga qeveria e ardhshme, me qëllim sigurimin e transparencës dhe profesionalizmit në administratë.




