Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, kanë bërë homazhe pranë varrit të Bahri Fazliu, në 28-vjetorin e rënies së tij.
Kurti, pas homazheve, e ka cilësuar Fazliun si një nga luftëtarët e orëve të para të përpjekjeve çlirimtare, duke theksuar rolin e tij jo vetëm si pjesëtar i rezistencës, por edhe si intelektual, poet dhe organizator i lëvizjes për liri.
Ai tha se Fazliu ka lënë pas një trashëgimi të rëndësishme shkrimesh, analizash dhe poezish, të cilat, sipas tij, ndihmojnë në kuptimin e veprimtarisë dhe ideve të tij.
Kurti shtoi se Bahri Fazliu prehet pranë bashkëluftëtarëve të tij dhe figurave të tjera të rëndësishme të luftës çlirimtare, duke e përshkruar atë si pjesë të rëndësishme të historisë së rezistencës shqiptare në Kosovë./EO/




