Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri të hënën në orën 14:00, asnjë nga 27 subjektet politike të paraqitura për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit nuk e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i dorëzimit të listave vazhdon dhe afati përfundimtar skadon nesër në mesnatë.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e parakohshme pritet të marrin pjesë gjithsej 27 subjekte politike, përfshirë 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat të pavarur.
Ndër koalicionet e paraqitura janë edhe Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj politikë, si dhe disa koalicione të komuniteteve joshumicë.
Pas përfundimit të procesit të certifikimit, KQZ do të organizojë hedhjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.




