Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të mërkurën në takim lamtumirës shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Barbanon për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë shërbimit në Kosovë, duke vlerësuar rolin e EULEX-it në mbështetjen e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.
Ajo theksoi qasjen profesionale dhe korrekte të Barbanos gjatë mandatit të tij dhe i uroi sukses në angazhimet e ardhshme.
Nga ana tjetër, Barbano shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj misionit të EULEX-it dhe për përpjekjet në avancimin e sundimit të ligjit, përfshirë promovimin e barazisë gjinore.
Ai ritheksoi përkushtimin e EULEX-it për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e vendit drejt integrimit evropian.




