Rreth 300 semimaturantë nga tri shkolla fillore të Prishtinës iu nënshtruan testit të arritshmërisë në gjimnazin “Ahmet Gashi”. Pas provimit, nxënësit dhanë vlerësime të ndryshme, ku disa e cilësuan testin të vështirë, veçanërisht në matematikë, ndërsa të tjerë thanë se ishte i përballueshëm.
Megjithatë, procesi është shoqëruar me pretendime për kopjim dhe publikim të pyetjeve në rrjete sociale, vetëm pak minuta pas fillimit të testit. Disa nxënës pohuan se kishin mundësi të kopjonin gjatë provimit.
Zëvendësdrejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haki Dili, bëri të ditur se tre nxënës u përjashtuan pasi u kapën duke përdorur telefona celularë.
Nga Ministria e Arsimit u konfirmua se në disa qendra janë evidentuar parregullsi dhe rreth 13 nxënës janë përjashtuar për shkak të përdorimit të telefonave. Po ashtu u paralajmërua se rezultatet mund të anulohen për ata që vërtetohet se kanë përdorur ose shpërndarë materialet e testit.
Në nivel vendi, testit të arritshmërisë iu nënshtruan rreth 23 mijë semimaturantë në 175 qendra testimi. Rezultatet pritet të publikohen më 6 korrik.




