Policia e Kosovës ka njoftuar se Stacioni Policor në Gjakovë ka arrestuar tetë persona të kërkuar me urdhëresa të lëshuara nga organet e drejtësisë.
Sipas njoftimit, arrestimet janë realizuar gjatë periudhës 14–22 korrik 2026, në kuadër të aksioneve për lokalizimin dhe arrestimin e personave të dënuar apo në kërkim.
Katër prej të arrestuarve janë dërguar në vuajtje të dënimit me burgim për vepra të ndryshme penale. Një person është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, një tjetër me 3 muaj burgim për dhunë në familje, një me 15 ditë burgim për vepër të ndërlidhur me narkotikët, ndërsa një tjetër me 43 ditë burgim për lëndim të lehtë trupor.
Ndërkohë, katër persona të tjerë të arrestuar për shkak të kërkimeve aktive janë liruar pasi kanë kryer pagesën e dënimeve me gjobë, në bazë të vendimeve të gjykatave.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me ekzekutimin e urdhër-arresteve dhe letër-rreshtimeve, me qëllim forcimin e sigurisë dhe zbatimin e vendimeve të organeve të drejtësisë.




