Policia e Rajonit të Mitrovicës së Jugut ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar pas paralajmërimeve për stuhi, erëra të forta dhe reshje.
Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë aktivitete informuese duke shpërndarë udhëzime për masat parandaluese, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe pronës.
Qytetarëve dhe bizneseve u është kërkuar të sigurojnë objektet që mund të dëmtohen nga era, të mbyllin dyert dhe dritaret, si dhe të shmangin qëndrimin pranë pemëve, shtyllave elektrike dhe zonave të rrezikshme.
Policia ka këshilluar edhe shoferët që të kenë kujdes në trafik, të shmangin rrugët e përmbytura dhe të ndalojnë në vende të sigurta në rast përkeqësimi të motit.
Sipas njoftimit, situata do të monitorohet vazhdimisht dhe qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo rast emergjent.





