Në nderim të dëshmorëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, sot është mbajtur “Marshi për Liri”, ku morën pjesë rreth 200 persona.
Në marshim u bashkuan veteranë e invalidë të luftës, familjarë të dëshmorëve, të rinj e të reja, qytetarë nga profile të ndryshme, si dhe dhjetëra motoristë. Pjesëmarrësit u shoqëruan edhe nga dy autoambulanca, nga QKMF-ja e Malishevës dhe ajo e Lipjanit.
Marshi nisi në orën 10:20 nga vendi ku ra heroi Ismet Jashari – Kumanova me bashkëluftëtarët e tij dhe përfundoi në orën 12:30 në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë.
Në kuadër të aktiviteteve, OVL-UÇK Ngucat organizoi edhe aksion humanitar për dhurimin e gjakut, ku morën pjesë 73 dhurues vullnetarë. Për pjesëmarrësit u shtrua edhe drekë me ushqime tradicionale në Kompleksin “Kodra e UÇK-së”.
OVL-UÇK Ngucat dhe Këshilli Organizativ kanë falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, donatorët dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për kontributin në këto aktivitete për nder të dëshmorëve dhe të rënëve për liri.




