Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka nisur kontrollet në furrat e bukës për verifikimin e peshës së produkteve dhe rregullsisë së peshoreve.
Kontrollet kanë nisur në Prishtinë dhe do të shtrihen edhe në komunat e tjera të Kosovës, pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe asaj reale të bukës.
Gjatë aksionit po kontrollohet vlefshmëria e peshoreve, pesha e bukës dhe dokumentacioni për kushtet minimale teknike.
Sipas institucioneve, për mospërputhje të peshës bizneset mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro, ndërsa përdorimi i peshoreve të parregullta mund të dënohet me 500 deri në 1,500 euro.
Institucionet u kanë bërë thirrje furrtarëve që të respektojnë kërkesat ligjore dhe të sigurojnë matje të sakta për konsumatorët.




