Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës, së bashku me asamblistë, drejtorë dhe aktivistë nga Mitrovica, kanë vazhduar edhe të mërkurën aksionin e bllokimit të hyrjes në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Aksioni po zhvillohet në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit dhe, sipas organizatorëve, ka për qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionalizimin e institucioneve.
Asamblisti i PDK-së në Mitrovicë, Gëzim Stavileci, tha se qëllimi i protestës është mbrojtja e Kushtetutës, institucioneve dhe demokracisë.
“Ne nuk jemi këtu kundër shtetit. Përkundrazi, jemi këtu sepse ky shtet është i yni. Nuk ka demokraci pa Kushtetutë, nuk ka shtet pa institucione dhe nuk ka Republikë pa respektim të ligjit”, tha Stavileci.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, deklaroi se aksioni synon t’ia rikujtojë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se askush nuk është mbi Kushtetutën.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, tha se përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve duhet ta marrin personat që kanë marrë mandat nga zgjedhjet e fundit.
Ajo akuzoi Kurtin për bllokim të institucioneve dhe tha se kjo situatë po ndikon edhe në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik.




