Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i kësaj partie ka vendosur të mos e mbështesë në votim kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bahtiri tha se LVV-ja po pret që të paraqiten kandidaturat e tjera për postet e nënkryetarëve.
Ai e kundërshtoi mundësinë që i njëjti kandidat të hidhet disa herë në votim për të testuar nëse mund të sigurojë numrin e nevojshëm të votave.
“Ne brenda grupit parlamentar përcaktohemi se cilët kandidatë do t’i mbështesim. Nuk është e drejtë që një kandidat të votohet disa herë vetëm për të parë nëse arrin t’i marrë votat e nevojshme”, deklaroi Bahtiri.
Sipas tij, vendimi për të mos e votuar Çitakun është qëndrim i Grupit Parlamentar të LVV-së.
Bahtiri shtoi se tashmë pritet që të bëhen propozimet e kandidatëve të tjerë, në mënyrë që procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të vazhdojë.




