Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryeministrit Albin Kurti dhe të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, duke konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik.
Gjykata ka vendosur që deputetët kanë 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë brenda afatit, shpërndarja e tij do të ndodhë automatikisht, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohen brenda 45 ditësh.
Vendimi i Kushtetueses hyn menjëherë në fuqi dhe shfuqizon masën e përkohshme të vendosur më 9 mars 2026.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu publikimin e aktgjykimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.




